Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale ka shpallur Thirrje Publike për mbështetje financiare për energjinë elektrike të shpenzuar për vitin 2025, e cila është e dedikuar për personat që hyjnë në kategorinë e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë. Kjo masë është pjesë e Programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë për vitin 2025 (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 34/25), me qëllim që të sigurohet mbështetje e drejtpërdrejtë për qytetarët të cilët kanë më së shumti nevojë.
Kush ka të drejtë për mbështetje financiare?
Mbështetja financiare është e destinuar për kategoritë e mëposhtme të qytetarëve:
- Amvisëritë me një ose më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara, përfitues të shtesës së veçantë sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilat kanë të ardhura neto mujore në vitin 2024 jo më shumë se:
- 42.000 denarë për amvisëri me 2 anëtarë,
- 60.000 denarë për amvisëri me 3 anëtarë,
- 80.000 denarë për amvisëri me 4 ose më shumë anëtarë.
- Kujdestarë që kujdesen për një ose më shumë persona në familje dhe janë përfitues të kompensimit për kujdes sipas Ligjit për Mbrojtje Sociale, ku të ardhurat e tyre neto mujore nuk e kalojnë pragun e përcaktuar në varësi të numrit të anëtarëve të familjes (nga 42.000 deri në 160.000 denarë).
Shuma dhe kohëzgjatja e mbështetjes
Ministria ndan mbështetje financiare nëpërmjet zbritjes mujore prej 1.000 denarësh nga fatura e energjisë elektrike, duke filluar nga dita e dorëzimit të kërkesës. Mbështetja do të jepet për 12 muaj rresht, ose deri në shterimin e mjeteve të parapara me programin.
Personat që tashmë përfitojnë ndihmë minimale të garantuar dhe marrin shtesë për energji në përputhje me Ligjin për Mbrojtje Sociale, si dhe të moshuarit që marrin mbështetje financiare sipas Ligjit për Siguri Sociale për Personat e Moshuar, nuk përfshihen në këtë masë.
Procedura për aplikim
Afati për dorëzimin e kërkesave është 30 ditë nga dita e shpalljes së thirrjes publike. Personat e interesuar duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar të kërkesës (Formulari 1 ose Formulari 2, në varësi të kategorisë), i cili është i disponueshëm në arkivin e Ministrisë ose në ueb-faqen zyrtare: https://www.ea.gov.mk/
Së bashku me kërkesën, duhet të dorëzohen këto dokumente:
- Deklaratë e noterizuar për saktësinë e dokumentacionit të bashkangjitur;
- Fotokopje e Vendimit për të drejtën e shtesës së veçantë ose kompensimit për kujdes;
- Fotokopje e faturës së fundit për energji elektrike të shpenzuar;
- Fotokopje e letërnjoftimit të kërkuesit;
- Dëshmi për anëtarët e amvisërisë.
Ministria i fton të gjithë qytetarët që i plotësojnë kushtet të aplikojnë me kohë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi për uljen e shpenzimeve për energji elektrike.
Për më shumë informacione, vizitoni ueb-faqen e Ministrisë: www.ea.gov.mk ose kontaktoni në ranlivipotrosuvaci@energy.gov.mk për pyetje në lidhje me thirrjen publike.