Skip to content

Këshilli lokal për parandalim (KLP) i komunës së Bërvenicës

Në ambientet e Këshillit Komunal të Bërvenicës në fshatin Bërvenicë, Këshilli Lokal për Parandalim (KLP) i Komunës së Bërvenicës ka mbajtur seancën e rregullt vjetore, në të cilën është diskutuar për gjendjen aktuale dhe të sigurisë në komunën e Bërvenicës. Në seancën e sotme, të udhëhequr nga përfaqsues i komunës, morën pjesë përfaqësuesi i SPB Tetovë, Departamentit për parandalim, komandanti dhe zëvendës komandanti i SP Zherovjanë,IPSH Qendra e shëndetit publik Tetovë, DMSH Tetovë, QMK Tetovë, drejtori i NKP Vardar, drejtorët e shkollave fillore 7Marsi dhe Kosta Racin, kryetarët e bashkësive lokale Bërvenicë, Tenovë, Bllacë, Radiovcë dhe Gurgurnicë dhe përfaqsues të komunës së Bërvenicës.
Me këtë rast, përfaqësuesit e komunës i njoftuan të pranishmit për gjendjen aktuale që kanë konstatuar shërbimet inspektuese të Komunës së Bërvenicës, pasi së fundi kanë kryer një mbikëqyrje të jashtëzakonshme mbi objektet e shkollave për sa i përket dokumentacionit të nevojshëm, si dhe kanë kontrolluar rrjetin hidrant dhe gjendjen e aparateve për shuarjen e zjarrit, inspektori i Mjedisit jetësorë elaboroi mbi mbikëqyrjen inspektuese të subjekteve afariste në pjësën ku ka kompetenca të vetëqeverisjes lokale.
Të pranishmit zhvilluan një debat të gjerë në të cilin u shqyrtuan disa propozime konstruktive, të cilat do të praktikohen më tej në formën e strategjive dhe hapave konkretë drejt sigurisë së përgjithshme. Gjithashtu, u shtrua tema e prezantimit të aktiviteteve edukative në shkollat fillore të Komunës së Bërvenicës, në drejtim të ballafaqimit me rreziqet e mundshme të sigurisë që mund të shfaqen në këtë mjedis. Për të rritur sigurinë e përgjithshme, të pranishmit kërkuan prani më të madhe të punonjësve të policisë në terren, duke marrë parasyshë se një pjesë e madhe e pajisjeve urbane dhe rekuizitave të vendosura nga komuna në këndet e lojërave për fëmijë janë cak i shpeshtë i vandalizmit, është bërë propozimi për patrulla të përziera nga policia, komuna dhe prindërit.
Gjatë diskutimit u shtrua nevoja për marrjen e masave të nevojshme lidhur me sigurinë në komunikacion, mënyrat e informimit të popullatës për rrezikun e shkaktimit të zjarreve në hapsira të hapur, si dhe probleme dhe rreziqe të tjera.