Më 19 maj 2025, në kuadër të projektit Erasmus+ “Ndërmarrësi e gjelbër për gratë rurale – GROW”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të miratuar nga Agjencia Nacionale për Programet Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, u mbajt nënshkrimi zyrtar i Memorandumit për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Bërvenicës dhe Shoqatës “Jeta e Lumtur” nga Tetova.
Memorandumin e nënshkruan kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, dhe kryetarja e shoqatës, Branka Markoviq. Qëllimi i bashkëpunimit është përmirësimi i ndërmarrësisë femërore, zhvillimi dhe promovimi i aftësive të gjelbra, si dhe rritja e përfshirjes së grave rurale në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror lokal.
Bashkëpunimi parasheh realizimin e aktiviteteve të përbashkëta për mbështetjen e grave nga zonat rurale në zhvillimin e ideve të gjelbra të biznesit, nxitjen e të nxënit ndërmarrës përmes trajnimeve dhe ngjarjeve publike, si dhe lehtësimin e qasjes në informacione dhe burime.
Gjatë takimit, koordinatorja e projektit, së bashku me katër pjesëmarrëse në mobilitetin që u mbajt në Antalia, Republika e Turqisë, ia prezantuan kryetarit të komunës projektin dhe rezultatet nga mobiliteti. Në periudhën nga 2 deri më 13 mars 2025, dhjetë gra morën pjesë në aktivitete në Antalia, ku fituan njohuri dhe aftësi të reja në fushën e ndërmarrësisë së gjelbër.